Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka ngritur shqetësime serioze pas vdekjes në paraburgim të Bledi Panajotit, duke theksuar mungesën e kujdesit shëndetësor dhe dështimet e përsëritura të sistemit që cenojnë të drejtën për jetën.
Panajoti, i ndaluar nga Komisariati Nr. 3 në Tiranë, kishte deklaruar që në momentet e para probleme të rënda shëndetësore, përfshirë diabetin, hepatitin C, varësinë nga lëndët narkotike dhe tuberkulozin. Gjendja e tij u përkeqësua shpejt dhe ai u dërgua në QSUT, ku mjekët rekomanduan ndjekje nga specialistë si toksikologu, endokrinologu dhe psikiatri, si dhe rishikim të trajtimit.
Sipas KShH, këto rekomandime nuk u zbatuan pas rikthimit në ambientet e paraburgimit. Monitorimi evidenton një zinxhir neglizhence mjekësore dhe institucionale, ku mungesa e ndjekjes së specializuar dhe e shërbimit shëndetësor 24 orë ka rrezikuar jetën e të ndaluarit.
Panajoti u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të 20 marsit, ndërsa më herët ishte raportuar nga efektivët se ai po flinte. Rasti, sipas organizatës, nxjerr në pah edhe problematikat e pazgjidhura në trajtimin e personave me varësi nga substancat narkotike.
KShH kërkon një hetim të plotë dhe transparent për ngjarjen, si dhe masa urgjente për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë së personave të privuar nga liria.