Prokuroria e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të IMT Tiranë, Rigers Sheqeri, lidhur me lejimin e ndërtimeve pa leje. Në të njëjtën kohë, është marrë masë ndaj biznesmenit Pandeli Carapuli, i cili i është bllokuar pasaporta dhe i është caktuar detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Masat janë marrë me kërkesë të Prokurorisë Tiranë për veprat penale “Shpërdorim detyre” për Sheqerin dhe E.P., dhe “Ndërtim i paligjshëm” për Carapulin.
Hetimet treguan se në pronën e shoqërisë “AL OIL 2019” janë kryer punime ndërtimi pa leje, ndërsa punonjësit e IMT Tiranë fillimisht evidentuan shkeljen me procesverbal, por kryeinspektori Sheqeri, duke u bazuar edhe në relacionin e juristit E.P., mbylli procedurën pa marrë asnjë masë administrative. Kjo veprimtari ka ngritur dyshime të arsyeshme për shpërdorim detyre nga ana e Sheqerit dhe E.P.
Po ashtu, rezultoi se biznesmeni Pandeli Carapuli, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “EUROCOL” sh.p.k., ka ndërtuar një konstruksion mur-betonarme pa leje, duke shkelur ligjin. Shoqëria kishte vetëm leje për ndërhyrje në infrastrukturë dhe vendosjen e barrierave ndaj zhurmave, e cila nuk mbulonte ndërtimin e objektit të realizuar, duke përjashtuar çdo justifikim ligjor për veprimet e tij.
Po kush është Pandeli Carapuli?
Ai është një prej oligarkëve më të mëdhenj shqiptarë, ndërtues i super-resortit “White Rocks” në Dhërmi, i njohur si “fshati i Carapulit” për shkak të vilave luksoze të ngritura mbi toka të kaluara në pronësi të tij, përfitues i miliarda lekëve nga tendera qeveritarë dhe me lidhje të ngushta me politikën dhe qeverinë e Ramës. Carapuli ka ndërtuar vila 1, 2 dhe 3-katëshe, bar-restorante, pishina të hapura, godinë administrate dhe kabina roje, duke i bërë projektet e tij ndër më luksozët dhe të lakmuarit në vend. Ai njihet gjithashtu si biznesmeni që ka ndërtuar shtëpinë e Ramës në Surrel dhe konsiderohet një nga aktorët më të fuqishëm në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.