Nga Ministria e së Vërtetës.
Në një aksion që ka lënë pa fjalë botën e krimit të organizuar dhe pushuesit e elitës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur me sukses operacionin "Rrezet e Diellit", duke bastisur disa vila luksoze në një kompleks në Palasë.
Sipas burimeve, agjentët e BKH-së, të pajisur me dedektorë metalesh dhe syze dielli polarizuese, kanë mbetur të mrekulluar nga arkitektura e vilave të Ergys Agasit dhe miqve të tij, përpara se të kujtoheshin se kishin ardhur për të sekuestruar prova.
"Ishte një operacion i vështirë," tha një hetues i cili kërkoi të mbetej anonim sepse ende nuk kishte mbaruar koktejin e sekuestruar në pishinë. "Gjetëm materiale komprometuese që vërtetojnë se korrupsioni në Shqipëri nuk ka vetëm duar të pastra, por ka edhe këmbë të nxira nga dielli."
Lista e materialeve të sekuestruara si prova materiale:
Ndërsa bota priste dokumente sekrete apo thasë me para, SPAK ka sqaruar se shapkat me gisht janë kyçe për hetimin. "Nëse shapka përputhet me gjurmën e lënë në zyrat e shtetit, atëherë kemi të bëjmë me një rast të pastër flagrance," deklaroi një zëdhënës i SPAK-ut ndërsa po provonte nëse shapkat i bënin në numër.
Vila e tretë, pronësia e së cilës mbetet "mister", thuhet se mbrohet nga një sistem sigurie aq i avancuar saqë kur hetuesit trokitën, një zë automatik u përgjigj: "Këtu nuk banon njeri, kjo është thjesht një bunker artistik për mbledhje poezish."
Opozita ka reaguar menjëherë, duke akuzuar SPAK-un se nuk sekuestroi mjaftueshëm aksesorë. "Ku janë syzet Ray-Ban? Ku janë varëset e floririt? Ky është një hetim selektiv që lë jashtë vajin e nxirjes!" tha një përfaqësues i opozitës nga një skaf i parkuar aty pranë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa BKH-ja ka paralajmëruar se hapi tjetër do të jetë kontrolli i frigoriferëve të vilave për të parë nëse akulloret janë blerë me TVSH apo me para nën dorë.