Një situatë alarmante është denoncuar nga banorët e lagjes Rilindja e njohur ndryshe si lagjja e Gramshit në Xhafzotaj të Durrësit, ku prej kohësh zona po përballet me ndotje të rëndë nga mbeturinat urbane dhe inerte.
Sipas denoncimit të qytetarëve, kamionë të ndryshëm, të identifikuar si të kompanisë “Elmazaj”, shkarkojnë çdo ditë mbetje në mes të zonës së banuar, duke e kthyer lagjen në një pikë grumbullimi plehrash. Banorët shprehen se situata është bërë e padurueshme dhe po rrezikon seriozisht shëndetin e tyre, sidomos të fëmijëve.
Në një lagje ku jetojnë rreth 500 familje, mungojnë hapësirat bazë si parqe apo shëtitore për fëmijët. Në vend të tyre, ata përballen çdo ditë me tym, erë të rëndë dhe mbeturina të shpërndara kudo.
“Po na shkatërrojnë lagjen. Nuk kemi ku t’i nxjerrim fëmijët. Jemi të rrethuar nga plehrat çdo ditë,” shprehen banorët të revoltuar.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është, sipas tyre, mungesa e reagimit nga institucionet. Banorët akuzojnë Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake për mosveprim, duke ngritur dyshime të forta për tolerim të qëllimshëm të kësaj veprimtarie.
“Policia vetëm mbledh supet. Me 100% siguri kanë marrë ‘pjesën’ e tyre, ndryshe nuk shpjegohet kjo heshtje,” shprehet denoncuesi.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për ndalimin e kësaj ndotjeje dhe për rikthimin e sigurisë dhe kushteve minimale të jetesës në lagjen e tyre.