Një i ri shqiptar është dënuar nga drejtësia britanike pasi tentoi të siguronte armë zjarri nga Shtetet e Bashkuara dhe rezultoi i përfshirë në aktivitet të strukturuar kriminal të lidhur me drogën.
Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Henri Nikolli, i cili u dënua me 6 vite e 3 muaj burg nga një gjykatë në Angli, pasi pranoi disa vepra penale që lidhen me armët dhe narkotikët.
Sipas hetimeve, Nikolli kishte porositur nga SHBA një pako që paraqitej si “kit trajnimi për qen”, por që në të vërtetë përmbante një armë zjarri 9 mm dhe pajisje ndihmëse për përdorimin e saj. Paketa u interceptua nga autoritetet amerikane përpara se të mbërrinte në Britaninë e Madhe.
I riu u arrestua në prill të vitit 2025 në zonën e Hertfordshire, ndërsa kontrolli në banesën e tij zbuloi një arsenal të rrezikshëm. Mes sendeve të sekuestruara u gjetën tre armë zjarri antike të modifikuara për përdorim me municion modern, fishekë, mjete për prodhimin dhe përshtatjen e armëve, si dhe thika.
Po ashtu, autoritetet zbuluan edhe një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, së bashku me sasi droge të gatshme për shpërndarje, çka ngriti dyshime për një aktivitet të organizuar kriminal.
Sipas prokurorisë, 19-vjeçari kishte ndërtuar një skemë ku armët përdoreshin për të mbështetur dhe mbrojtur tregtinë e drogës, duke përbërë rrezik serioz për komunitetin.
Hetuesit theksuan se ai kishte njohuri të avancuara për modifikimin e armëve dhe prodhimin e municioneve, ndërsa në pajisjet e sekuestruara u gjetën edhe video ku armët testoheshin në ambiente publike, duke treguar një shpërfillje të hapur për sigurinë e të tjerëve.
Autoritetet britanike e cilësuan dënimin si një goditje ndaj krimit të organizuar dhe një mesazh të qartë për individët që përfshihen në trafik armësh dhe aktivitet të paligjshëm me drogë.
