Një qytetar nga Mallakastra i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë shqetësuese që, sipas tij, po prek drejtpërdrejt jetesën e personave me aftësi të kufizuara në këtë bashki.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksi, invalidët në Bashkinë Mallakastër po përballen me vonesa të njëpasnjëshme në marrjen e pagesave mujore të invaliditetit, të ardhura nga të cilat varen plotësisht për të përballuar nevojat bazë të jetesës.
Qytetari sqaron se, sipas rregullave në fuqi dhe praktikës administrative, pagesat e KEMP-it dhe të paaftësisë duhet të kalojnë çdo muaj brenda periudhës 1–15. Megjithatë, sipas tij, në realitet situata paraqitet krejt ndryshe.
Ai pretendon se pagesa e muajit janar është kaluar me vonesë gjatë muajit shkurt, ndërsa e njëjta problematikë po përsëritet edhe për muajin pasardhës, pasi fondet ende nuk janë reflektuar në bankë.
Sipas denoncuesit, nëse kjo situatë vijon me të njëjtin ritëm, ekziston rreziku real që pagesat të shtyhen deri në muajin prill, duke i lënë përfituesit për javë të tëra pa asnjë mbështetje financiare.
“Kjo nuk është thjesht një vonesë, por një krizë jetike për shumë familje që mbijetojnë vetëm me këtë pagesë”, shprehet qytetari në mesazhin e tij për JOQ Albania.
Ai thekson se shumë invalidë ndodhen sot në pamundësi për të siguruar ushqimet bazë dhe ilaçet e domosdoshme, duke e cilësuar situatën si një neglizhencë serioze institucionale.
JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Mallakastër dhe institucioneve përgjegjëse të reagojnë dhe të sqarojnë arsyet e këtyre vonesave, pasi bëhet fjalë për një kategori qytetarësh që kanë nevojë emergjente për këto të ardhura për mbijetesë.