Italia ka munguar në dy Kupa Bote radhazi dhe prej 12 vitesh pret rikthimin në skenën më të madhe të futbollit. Megjithatë, për të mbajtur gjallë këtë shpresë, duhet fillimisht të mposhtë Bosnje-Hercegovinën në sfidën e nesërme në mbrëmje.
Interesi për këtë përballje vendimtare ka qenë i jashtëzakonshëm. Të gjitha biletat janë shitur në kohë rekord dhe në stadiumin “Bilino Polje”, nesër në orën 20:45, priten rreth 15.600 tifozë në tribuna.
Ndërkohë, ata që nuk kanë arritur të sigurojnë një biletë, kanë gjetur alternativa kreative. Banorët përreth stadiumit kanë kthyer ballkonet e shtëpive të tyre në “tribuna të improvizuara”, duke i dhënë me qira për tifozët.
Sipas raportimeve, çmimi për një vend në këto ballkone arrin deri në 500 euro, një shifër që pasqyron qartë entuziazmin dhe dëshirën e madhe për të qenë sa më pranë një ndeshjeje kaq të rëndësishme.