Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës, duke zhvilluar seancën e radhës stërvitore në qendrën sportive Parador de El Saler, në Valencia. Kuqezinjtë u stërvitën për rreth një orë me intensitet të lartë, nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit teknik.
Seanca nisi me ushtrime fizike, ndërsa më pas fokusi u zhvendos tek puna me topin dhe zhvillimi i ndeshjeve kontrolluese, në funksion të përgatitjes taktike për sfidën e radhës.
Megjithatë, lajmi negativ i ditës lidhet me mungesën e Ernest Muçit, i cili nuk ishte i pranishëm në stërvitje për shkak të një dëmtimi. Futbollisti ndjeu shqetësime në pjesën e pasme të kofshës së djathtë gjatë seancës së së shtunës dhe pas ekzaminimeve me rezonancë magnetike u konstatua një edemë muskulare, që kërkon disa ditë pushim. Si pasojë, ai nuk pritet të jetë në gjendje optimale për ndeshjen ndaj Ukrainës.
Pas konsultimit me stafin mjekësor, trajneri Sylvinho vendosi ta lirojë lojtarin, i cili është nisur drejt Turqisë për të vijuar fazën e rikuperimit.
Ndërkohë, mungesë në këtë seancë ishte edhe mesfushori Jasir Asani, i cili ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së një dite më parë. Gjendja e tij po monitorohet nga stafi mjekësor, ndërsa në vijim pritet të vendoset nëse do të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në stërvitje dhe për të qenë pjesë e skuadrës në ndeshjen e ardhshme. Gjithashtu edhe Ylber Ramadani nuk do të jetë pjesë si pasojë e një dëmtimi.