JOQ Albania raportoi e para zhdukjen misterioze të Miklovan Dakaj, një histori që sot po zbardhet me detaje të reja tronditëse nga autoritetet spanjolle, duke hedhur dritë mbi një nga ngjarjet më të errëta të botës së krimit në Europë.
37-vjeçari shqiptar, i njohur me nofkën “Keli”, u gjet i pajetë më 1 shtator 2025 në Marbella, por hetimet tregojnë se ai ishte parë për herë të fundit që më 13 maj të po atij viti. Që në fillim, pista kryesore e hetimit ishte rrëmbimi i lidhur me grupet e krimit të organizuar që veprojnë në jug të Spanjës.
Zbulimi i trupit ndodhi në mënyrë krejt rastësore disa muaj më vonë, kur një shtetas polak, teksa po bënte kamping pranë rezervuarit Casasola në zonën e Almogía (Málaga), hasi në një çantë të madhe. Brenda saj ndodheshin mbetjet e lidhura të Dakajt, duke konfirmuar dyshimet për një eliminim të mirëorganizuar.
Autoritetet spanjolle kanë arritur të zbardhin vrasjen, megjithëse zyrtarisht nuk është konfirmuar një lidhje direkte me trafikun e drogës. Megjithatë, burime të ndryshme sugjerojnë se pikërisht përfshirja e tij në këtë aktivitet mund të ketë qenë shkaku kryesor i ekzekutimit.
Ngjarja vjen në një kontekst të rritjes së fortë të dhunës mes grupeve kriminale në provincën e Malagas. Organizatat kriminale kanë kaluar nga trafiku i hashashit drejt tregtisë së kokainës, një biznes shumë më fitimprurës, por edhe më i rrezikshëm.
Sipas dëshmisë së ish-partneres së tij, më 12 maj 2025, Dakaj ndodhej në një restorant në Puerto Banús dhe më pas u nis drejt një tjetër lokali në Puerto de la Torre, ku pritej të takohej me disa persona që supozohej t’i ofronin një punë si truprojë. Pas këtij momenti, çdo kontakt me të u ndërpre. Pak kohë pas zhdukjes, familjarët kishin marrë edhe një mesazh kërcënues nga një person i panjohur, ku shkruhej: “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”.
Hetimet zbuluan se makina e tij, një BMW X6, mbeti e parkuar në vend, ndërsa kamerat e sigurisë filmuan momentin kur ai hipi në një automjet tjetër, një Peugeot 208 i marrë me qira disa ditë më parë në Barcelonë, mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Edhe pse një pjesë e rrugës së ndjekur nga autorët nuk është kapur nga kamerat, të dhënat e rrjetit celular e vendosin automjetin në zonën ku më vonë u gjet trupi i tij, duke forcuar provat ndaj tyre.
Historia e Miklovan Dakaj, e raportuar fillimisht nga redaksia, tashmë konfirmon një realitet të ashpër: përplasjet mes grupeve kriminale shqiptare dhe ndërkombëtare kanë kaluar kufijtë dhe po zhvillohen në një nivel gjithnjë e më të dhunshëm në zemër të Europës.