Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë në pah një skandal të madh në tregun e vajit të ullirit, ku shumica e mostrave të marra rezultuan të kontaminuara me pesticide të ndaluara, përfshirë “Chlorpyrifos Ethyl”. Nga 37 mostra të testuara, 28 ose rreth 76% nuk i përmbushnin standardet, ndërsa një sasi prej 899 litrash vaj ulliri të destinuar për asgjësim mund të ketë përfunduar në treg, duke vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve shqiptarë.
Raporti i KLSH thekson se Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) ka vepruar me vonesë ose nuk ka marrë aspak masa për të parandaluar qarkullimin e produkteve të ndaluara. Inspektimet shpesh kryheshin me ditë të tëra vonesë, procesi i marrjes së mostrave ishte i paqëndrueshëm dhe shumë biznese të rrezikshme mbetën jashtë kontrollit. Pavarësisht paralajmërimeve nga laboratorë të akredituar, përfshirë laboratorë italianë, AKU nuk ka ndërhyrë për të bllokuar ose asgjësuar produktet problematike.
Auditi i KLSH e konsideron këtë një dështim sistemik të AKU-së, duke ngarkuar me përgjegjësi jo vetëm inspektorët në terren, por edhe drejtuesit e lartë të institucionit. Institucioni është akuzuar për mosveprim, mungesë koordinimi dhe papërgjegjshmëri, duke lënë shqiptarët të ekspozuar ndaj rrezikut serioz për shëndetin e tyre. Shqetësimi është i madh: vaji i kontaminuar vazhdon të përhapet në treg, ndërsa AKU duket se është “në gjumë”.