Mustafa Martinaj: Djali im është ekzekutuar në Durrës, SPAK refuzon ta hetojë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.03.2026, 11:36

Mustafa Martinaj u paraqit këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin që lidhet me pasuritë e djalit të tij, Ervis Martinaj. Megjithatë, seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së dy prokurorëve të çështjes, duke u shtyrë për një datë tjetër.

Në përfundim të seancës, Martinaj bëri deklarata të forta për fatin e të birit. I pyetur nga gazetarët, ai u shpreh se, sipas tij, ajo që ka ndodhur është e njohur për të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. “Djali im është ekzekutuar në Durrës. Si e di? Jam babai i tij,” tha ai, duke shtuar se ka dhënë dëshmi edhe pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku është paraqitur me iniciativën e tij rreth dy muaj pas ngjarjes. Sipas tij, autoritetet nuk kanë treguar vullnet për të hetuar rastin, duke ia kaluar përgjegjësinë institucioneve të tjera.

Ai u shpreh gjithashtu i zhgënjyer nga mungesa e progresit në hetime, duke theksuar se nuk ka as fuqi për hakmarrje dhe as pritshmëri nga institucionet. “Jam invalid, kam kaluar ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me gjëra të vogla dhe jo me çështje madhore,” deklaroi Martinaj.

Ndërkohë, seanca e radhës është caktuar pas dy javësh, ndërsa vijon shqyrtimi i kërkesës së SPAK për konfiskimin e disa pasurive. Në seancë ishin të pranishëm edhe dy dëshmitarë të tjerë të thirrur nga Prokuroria.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit 2022 dhe, deri më sot, autoritetet nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi fatin e tij.

Sa i përket pasurive, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e sekuestros për asetet e tij, duke rrëzuar kërkesën e familjarëve dhe avokatëve për heqjen e saj. Mbrojtja kishte pretenduar se kërkesa ishte shqyrtuar jashtë afateve ligjore, por gjyqtari Erion Bani e cilësoi atë të pabazuar në ligj dhe prova.

Sipas vendimit, Prokuroria ka të drejtë të vijojë hetimet deri në dy vite nga vendosja e sekuestros, afat që është zgjatur dy herë dhe mbetet në fuqi deri në dhjetor 2025. Gjykata sqaroi se masa e sigurisë hiqet vetëm nëse nuk kërkohet konfiskimi brenda afateve, çka nuk është rasti, pasi kërkesa është dorëzuar në kohë.

Në total, bëhet fjalë për 34 pasuri të sekuestruara që prej vitit 2023, ndërsa procesi do të vijojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë që lidhen me këto prona.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit