Një histori sa e pazakontë, aq edhe njerëzore, ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një vajzë kërkon ndihmën e ndjekësve për të gjetur një djalë me të cilin u njoh gjatë një udhëtimi me avion.
Gjithçka ndodhi mbrëmjen e 19 marsit, rreth orës 23:00, gjatë fluturimit Bari-Tiranë. Sipas mesazhit të saj, djali ishte ulur pranë dhe gjatë gjithë udhëtimit mes tyre lindi një bisedë e këndshme, e cila i la mbresa të forta.
Megjithatë, për shkak të lodhjes së madhe dhe faktit që ishte duke agjëruar, pasi po udhëtonte posaçërisht për të falur Fitër Bajramin në Shqipëri, vajza tregon se në fund të fluturimit i ka dhënë pa dashje numrin e telefonit gabim, duke humbur çdo mundësi për ta kontaktuar më pas.
“Po udhëtoja për të falur Bajramin dhe do të kthehesha sërish në Itali. Ishte një nga ato bisedat që të mbeten në mendje, por për fat të keq nuk i mbaj mend emrin. Më vjen shumë keq, sepse një herë që njoha një njeri me të cilin më ngjiti muhabeti, e humba nga lodhja”, shkruan ajo.
Nga detajet që kujton, djali jetonte mes Tiranës dhe Barit për shkak të punës, banonte në zonën e ish-Bllokut dhe punonte si menaxher në një studio ligjore. Ajo shpreson që ky postim të arrijë te personi në fjalë ose te dikush që mund ta njohë, në mënyrë që të rikthehet kontakti i humbur në atë fluturim të natës së Bajramit.
Ndoshta ky postim do të bëhet ura që i lidh sërish, duke kthyer një bisedë të humbur në një histori që vazhdon.