Një situatë alarmante është regjistruar në rrugën 'Don Shtjefën Kurti' në Prishtinë, ku një segment i konsiderueshëm i asfaltit është shembur, duke krijuar një gropë të thellë në mes të rrugës dhe duke vënë në rrezik qarkullimin.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjet tregojnë dëmtimin e rëndë të sipërfaqes rrugore, ku një pjesë e asfaltit ka ceduar plotësisht, ndërsa poshtë saj duken qartë tubacione dhe elementë të tjerë të infrastrukturës së nëndheshme.
Nga rrëshqitja e dheut është krijuar një boshllëk i madh nën rrugë, çka ngre dyshime për një dëmtim më të thellë strukturor dhe shton rrezikun për automjetet dhe këmbësorët që kalojnë në këtë segment.
Në zonë janë vendosur disa masa provizore sinjalizuese, përfshirë një kon sigurie, por rruga mbetet ende një pikë problematike dhe potencialisht e rrezikshme.
Në afërsi shihen edhe punime ndërtimore, si dhe një vinç në funksion, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse shembja lidhet me ndërhyrje infrastrukturore apo me punimet që po zhvillohen pranë saj.
Ngjarja ka ngritur shqetësim te banorët dhe drejtuesit e mjeteve, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve për ndërhyrje të menjëhershme dhe sqarimin e plotë të shkaqeve.