Një rast vjedhjeje është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili tregon se biznesi i tij është grabitur pak ditë më parë në Rrugën e Dibrës në Tiranë.
Sipas dëshmisë së tij, një person i maskuar ka hyrë me forcë në ambientet e dyqanit, pasi ka thyer derën hyrëse. Pamjet e siguruara tregojnë momentin kur autori depërton brenda dhe më pas drejtohet menjëherë drejt kasës, nga ku merr paratë, si dhe disa produkte të tjera.
I gjithë veprimi zgjat vetëm pak minuta, por duket i mirëorganizuar dhe i vendosur. Edhe pse alarmi i sigurisë është aktivizuar gjatë kohës së vjedhjes, kjo nuk e ka penguar autorin që të vijojë qetësisht dhe të përfundojë atë që kishte nisur.
Sipas denoncuesit, dëmi total arrin në rreth 2.5 milionë lekë të vjetra.
Ai bën me dije se rasti është kallëzuar në polici, por deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit, i cili në pamje shfaqet i maskuar, çka e vështirëson punën hetimore.
Në këto kushte, pronari i biznesit kërkon publikimin e pamjeve me qëllim ndërgjegjësimin e bizneseve të tjera, në mënyrë që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e rasteve të ngjashme.