Një incident i rëndë është shënuar në zonën e Lungomare Vlorë, ku pronari i një lokali është dhunuar nga tre persona ende të paidentifikuar.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për pronarin e një bar-restoranti/picerie, i cili është goditur fizikisht nga tre individë, duke pësuar dëmtime që kanë bërë të nevojshme transportimin e tij në spital për ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë tepër të frekuentuar, si nga qytetarët ashtu edhe nga turistët, duke shkaktuar panik te personat e pranishëm. Kanë qenë pikërisht dëshmitarët dhe familjarët ata që kanë njoftuar menjëherë policinë.
Forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash dhe kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Ndërkohë, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe në ambientet e lokalit, të cilat pritet të ndihmojnë në hedhjen e dritës mbi këtë rast.