Braçe sfidon Ramën: Mjaft më, dua të drejtoj Bashkinë e Tiranës!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 29.03.2026, 14:30

Një përplasje e madhe ka shpërthyer brenda Partisë Socialiste, pasi deputeti Erion Braçe shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Gjatë një mbledhjeje të Asamblesë së PS në Njësinë 5, Braçe njoftoi se do të kërkojë mbështetje për të kandidoar si kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke sfiduar kështu vendimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka shpallur kandidaturën e Ogerta Manastirliut si pasardhëse për këtë post.

"Do kërkoj votat dhe mbështetjen e socialistëve të Tiranës, jo vetëm të Njësisë 5, por në çdo cep të qytetit. Mjaft më me politikat që po zhvillohen në partinë tonë! Ne kemi nevojë për një organizim të ri dhe për të rinovuar besimin e qytetarëve", tha Braçe, duke shkaktuar një stuhi në strukturat e PS-së.

Deklarata e Braçes është një goditje direkte për Edi Ramën, i cili përmendi disa herë kandidaturën e Manastirliut si pasardhëse të tij, dhe ka shpallur mbështetje të pakushtëzuar për këtë propozim. Pas këtij akti të papritur, duket se tensionet brenda partisë janë intensifikuar, me disa figura të rëndësishme të PS që tashmë po shfaqin kundërshtime për mënyrën e administrimit të partisë nga Rama.

Ky zhvillim vjen pas një periudhe tensionesh brenda PS, ku diskutimet për çështjet e brendshme të partisë dhe për politikat e vendosura nga qeveria kanë sjellë shqetësime të mëdha. Braçe ka theksuar se partia ka nevojë për një hapje më të madhe dhe përfshirje të rinjve dhe ideve të freskëta, dhe ka kërkuar që PS të fokusohet më shumë te puna dhe angazhimi i vërtetë për qytetarët, sesa te "karriget dhe pozitat".

Përplasjet në PS nuk duken të përfunduara, dhe mbetet të shihet se si do të reagojnë strukturat në Tiranë dhe qendër ndaj këtij vendimi të Braçes, që mund të çojë në një betejë të ashpër për kandidaturën e kryebashkiakut të Tiranës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit