Ekspertët ndërkombëtarë të turizmit kanë identifikuar Shqipërinë si një nga destinacionet më premtuese për vitet e ardhshme, duke e renditur ndër “perlave të pazbuluara” së bashku me vende si Mongolia, Sllovenia, Kirgistani dhe Uzbekistani. Vëmendja e turistëve po zhvendoset nga destinacionet e mbipopulluara drejt vendeve që ofrojnë përvoja autentike, natyrë të paprekur dhe kultura unike, por pa turmat e zakonshme të vizitorëve.
Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë ndërkombëtarë falë kombinimit të saj unik të bregdetit Jon, fshatrave malore autentike dhe mikpritjes tradicionale. Sipas të dhënave, në vitin 2025 vendi priti rreth 12,47 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje prej 6,6% krahasuar me vitin 2024, çka tregon një interes të qëndrueshëm dhe në rritje për turizmin shqiptar.
Investimet në infrastrukturë kanë ndikuar ndjeshëm në aksesin dhe komoditetin për turistët. Hapja e Tunelit të Llogorasë në korrik 2024 ka shkurtuar kohën e udhëtimit drejt Rivierës Shqiptare nga 30 minuta në vetëm 7 minuta. Po ashtu, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i portit të Porto Romanos, si dhe rritja e fluturimeve direkte dhe planet për një aeroport të ri në jug të vendit, pritet të forcojnë më tej lidhjet dhe tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë.
Shqipëria po fiton gjithashtu njohje dhe vlerësime ndërkombëtare. Vendi është renditur si destinacioni kryesor për vitin 2025 nga britanikja “The Independent” dhe është përfshirë ndër tre destinacionet më në zhvillim nga “Travel Radar”. Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës është përfshirë në listën “52 Places to Go” të “The New York Times”, duke nxjerrë në pah bukuritë e natyrës së paprekur të vendit.
Investitorët privatë po shohin mundësi të mëdha në zhvillimin turistik. Një nga projektet më të diskutuara është ndërtimi i një resorti luksoz 1,4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit, një investim që do të forcojë imazhin e Shqipërisë si destinacion ekskluziv dhe tërheqës për turizmin luksoz.
Me çmime të përballueshme, atraksione natyrore dhe kulturore të pasura dhe një turizëm që po zhvillohet gjatë gjithë vitit, Shqipëria po pozicionohet si një nga destinacionet më premtuese globale. Ekspertët e turizmit paralajmërojnë se vizitorët që e eksplorojnë tani mund ta përjetojnë vendin përpara se të bëhet një nga pikat më të kërkuara turistike në botë.