Aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford, më e reja dhe më e madhja në flotën detare të SHBA-së, ka mbërritur në portin e Split për riparime dhe mirëmbajtje, pas disa problemeve teknike dhe një incidenti me zjarr në bord.
Anija luftarake kishte qenë e dislokuar për muaj të tërë në Lindjen e Mesme, duke marrë pjesë në operacione ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit në kuadër të operacionit të njohur si “Epic Fury”.
Incidenti që detyroi ndalesën për riparime ndodhi më 12 mars, kur në bord shpërtheu një zjarr në lavanderinë kryesore të anijes. Sipas zyrtarëve amerikanë, zjarri nuk ishte i lidhur me luftimet në rajon, por shkaktoi probleme serioze në disa zona të anijes dhe plagosi tre marinarë.
Përveç të plagosurve, rreth 200 marinarë u trajtuan për probleme të lidhura me thithjen e tymit, ndërsa flakët dhe tymi dëmtuan edhe disa hapësira ku flinin pjesëtarët e ekuipazhit.
Aeroplanmbajtësja kishte qëndruar përkohësisht edhe në bazën detare të Souda Bay në ishullin Kreta për kontrolle paraprake, përpara se të lundronte drejt Kroacisë për ndërhyrje më të gjera teknike.
Gjithashtu, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, anija është përballur edhe me probleme të tjera gjatë misionit të saj të gjatë në det, përfshirë defekte në sistemin e tubacioneve dhe sanitareve, që kanë krijuar vështirësi për ekuipazhin.
Aeroplanmbajtësja, e cila ka mbi 5 mijë marinarë në bord dhe mban më shumë se 75 avionë ushtarakë, përfshirë avionët luftarakë F/A‑18 Super Hornet, konsiderohet një nga anijet më të avancuara të marinës amerikane.
Gjatë qëndrimit në Kroaci, zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se në bord do të zhvillohen edhe takime me autoritete vendase, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Kroacisë, që është një aleate e NATO-s.