Një tragjedi e rëndë është regjistruar në ujërat e Mesdheut, ku të paktën 22 emigrantë kanë humbur jetën gjatë një udhëtimi të rrezikshëm nga Libia drejt Greqisë.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve për autoritetet greke, viktimat ndërruan jetë pas disa ditësh të kaluara në det në kushte ekstreme, ndërsa trupat e tyre më pas u hodhën në ujë.
Në të njëjtën varkë ndodheshin gjithsej 48 persona. Nga këta, 26 arritën të shpëtohen pranë ishullit të Kreta nga një anije patrullimi e agjencisë evropiane të kufijve Frontex. Mes të shpëtuarve ndodheshin edhe një grua dhe një i mitur.
Autoritetet bëjnë me dije se dy nga të mbijetuarit u transportuan me urgjencë në spitalin e Heraklion për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pas ditëve të gjata në det pa ushqim dhe ujë.
Hetimet paraprake tregojnë se varka ishte nisur më 21 mars nga zona e Tobruk në lindje të Libisë, me destinacion brigjet greke. Gjatë udhëtimit, emigrantët dyshohet se humbën orientimin dhe mbetën për disa ditë të bllokuar në det, duke u përballur me mungesë ushqimi, uji dhe kushte shumë të vështira mbijetese.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, disa nga viktimat humbën jetën nga lodhja dhe dehidratimi. Ata kanë deklaruar gjithashtu se trupat e personave që vdisnin gjatë udhëtimit u hodhën në det me urdhër të njërit prej trafikantëve që drejtonte varkën.
Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, autoritetet greke kanë arrestuar dy persona, shtetas të Sudani i Jugut, të moshës 19 dhe 22 vjeç, të cilët dyshohen se kanë organizuar dhe drejtuar udhëtimin e emigrantëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie në Mesdhe janë ende në vijim.