“Në rast se shfaqen armiqtë”, Lukashenko i dhuron një pushkë Kim Jong Un-it

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.03.2026, 19:05

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, kanë nënshkruar një traktat miqësie në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Pyongyang, në një takim që synon forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sipas mediave shtetërore, gjatë ceremonisë Lukashenko i dhuroi Kim Jong-un një pushkë automatike. Në një video të publikuar nga media shtetërore bjelloruse, presidenti i Bjellorusisë bëri edhe shaka me dhuratën, duke i thënë liderit korean se ia kishte sjellë “në rast se shfaqen armiqtë”.

Nga ana tjetër, Kim i dhuroi Lukashenkos një shpatë ceremoniale dhe një vazo dekorative ku ishte paraqitur portreti i liderit bjellorus.

Gjatë takimit, Lukashenko theksoi se traktati i miqësisë mes dy vendeve është një hap themelor për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai i tha Kim Jong-un se Bjellorusia beson në të ardhmen e Koresë së Veriut dhe në popullin e saj “punëtor dhe të disiplinuar”.

Sipas tij, në një kohë kur “normat e së drejtës ndërkombëtare po shkelen hapur nga fuqitë e mëdha”, vendet duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur sovranitetin dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Edhe Kim Jong-un u shpreh se marrëveshja e re do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas agjencive shtetërore të lajmeve, palët ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe shëndetësinë.

Të dy vendet, si Bjellorusia ashtu edhe Koreja e Veriut, janë nën sanksione të rënda nga vendet perëndimore për shkak të akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbështetje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Koreja e Veriut akuzohet se ka dërguar mijëra ushtarë për të mbështetur pushtimin rus të Ukrainës. Sipas vlerësimeve, më shumë se 10 mijë ushtarë koreano-veriorë janë vendosur në front përkrah forcave ruse në luftën kundër Ukrainës.

Në një mesazh të fundit drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, Kim Jong-un deklaroi se “Pyongyangu do të jetë gjithmonë me Moskën”.

Ndërkohë, Ukraina ka akuzuar prej kohësh Rusinë se ka përdorur territorin e Bjellorusisë si pikënisje për sulme ushtarake gjatë luftës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit