Në gjyqin për vrasjen makabre të Liridona Ademaj në Kosovë, ka vijuar dëshmia e të akuzuarit Kushtrim Kokalla, i cili përballet me akuzën për “vrasje të rëndë” në bashkëpunim me Naim Murselin dhe Granit Plavën. Para trupit gjykues, Kokalla ka deklaruar se për ngjarjen kishte mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte, duke mohuar çdo rol në krim.
Ai ka treguar se në momentin e vrasjes ndodhej në shtëpinë e tij me familjarët, kur një mik e kishte njoftuar për incidentin. Fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për grabitje, bazuar në raportimet e para. Sipas tij, kishte tentuar të kontaktonte Naim Murselin, por telefoni i këtij të fundit ishte i paarritshëm dhe vetëm pas rreth 20–30 minutash kishte kuptuar se bëhej fjalë për vrasje. Kokalla ka shtuar se më pas kishte udhëtuar drejt Prishtinës për të qëndruar pranë familjes Ademaj, ndërsa për akomodimin në hotel ka deklaruar se shpenzimet ishin mbuluar nga miku i tij Valon Lluka, pasi ai vetë nuk kishte mundësi financiare për një dhomë luksoze.
Ndërkohë, sipas hetimeve, dyshohet se Naim Murseli i kishte kërkuar Kokallës të gjente mënyrë për vrasjen e bashkëshortes së tij, por ky i fundit kishte refuzuar. Megjithatë, pretendohet se ai ka ndërmjetësuar kontaktin me Granit Plavën, me të cilin thuhet se është arritur marrëveshje për kryerjen e vrasjes kundrejt një pagese prej 30 mijë eurosh. Në dosje përmendet edhe emri i Valon Llukës, i cili deri në shtator 2025 ka qenë administrator i shoqërisë “Vlora International Airport – VIA Sh.p.k.”. Ngjarja ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg Prishtinës, ndërsa rasti fillimisht u raportua si grabitje, por më pas u zbardh si vrasje e organizuar dhe motivet mbeten ende të paqarta.