Sot shënohen 29 vite nga Tragjedia e Otrantos, një nga ngjarjet më të rënda në historinë moderne shqiptare, e ndodhur më 28 mars 1997. Anija shqiptare “Katri i Radës” u përmbyt në Ngushticën e Otrantos pas përplasjes me anijen luftarake italiane “Sibilla”. Në bord ndodheshin 142 persona, nga të cilët 81 humbën jetën, ndërsa vetëm 61 arritën të mbijetojnë. Prej viktimave, 24 trupa nuk u gjetën kurrë.
Në përkujtim të kësaj tragjedie, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë u mblodhën pranë bregdetit, ku me dhimbje dhe respekt hodhën trëndafila të bardhë në det, në nder të jetëve të humbura.
Ngjarja tragjike ndodhi pasi anija shqiptare, e nisur drejt Italisë, u përball në ujërat italiane me anijen ushtarake “Sibilla”. Sipas dëshmive, kjo e fundit iu afrua rrezikshëm mjetit lundrues shqiptar. Pasagjerët raportuan se panë dy persona në urën e anijes italiane, njëri i armatosur me mitraloz dhe tjetri duke fotografuar, ndërsa mbi ta fluturonte një helikopter i marinës italiane që filmonte gjithë skenën.
Pas dy goditjeve të forta, “Katri i Radës” u përmbys plotësisht. Ata që nuk dinin të notonin u përpoqën të shpëtonin duke u kapur pas anijes, por shumë gra dhe fëmijë mbetën të bllokuar në brendësi dhe humbën jetën në mënyrë tragjike.
Gjashtë muaj më vonë, anija u nxor nga fundi i detit, ndërsa brenda saj u gjetën edhe trupa të pajetë. Për këtë ngjarje, komandanti i anijes “Sibilla” u dënua me vetëm 2 vite burg, ndërsa kapiteni i “Katri i Radës” me 3 vite.
Edhe pas gati tre dekadash, familjarët e viktimave vijojnë të kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre, duke e konsideruar këtë tragjedi si një plagë të hapur që ende nuk ka marrë përgjigjen që meriton.