Një shtetas italian, 81 vjeç, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja është shënuar rreth orës 10:10, kur i moshuari është gjetur pa shenja jete në mjediset e hotelit ku po qëndronte.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e rendit dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje. Nga këqyrja paraprake e trupit të të moshuarit, specialistët kanë bërë të ditur se nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme, shenja dhune apo lëndime që mund të kenë ardhur nga faktorë njerëzorë.
Dyshimet kryesore të grupit hetimor anojnë drejt një vdekjeje natyrale, e cila mund të jetë shkaktuar nga ndonjë goditje në zemër apo probleme të tjera shëndetësore që lidhen me moshën e thyer të shtetasit italian.
Për të shmangur çdo dyshim dhe për të nxjerrë një përfundim zyrtar, trupi i pajetë është dërguar në mjekësinë ligjore.