Një hetim intensiv njëmujor i ndjekur me metoda proaktive ka çuar në pranga një 26-vjeçar, i cili akuzohet se ka mashtruar dhjetëra biznese në jug të vendit duke u hequr si zyrtar shtetëror. Operacioni i koduar “The End” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit.
Shtetasi i arrestuar, L. M., 26 vjeç, banues në Sarandë, kishte ndërtuar një skemë të mirëfilltë mashtrimi. Ai prezantohej pranë subjekteve tregtare si punonjës i institucioneve të rëndësishme kontrolluese, si:
Përmes këtij kamuflimi, ai ushtronte presion mbi bizneset dhe kërkonte shuma parash që varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast, në këmbim të "lehtësive" apo shmangies së gjobave fiktive.
Goditja finale e policisë ndodhi në qytetin e Sarandës, ku 26-vjeçari u kap mat teksa merrte shumën prej 56 000 lekësh të reja nga një qytetar. Grupi hetimor ka dokumentuar se brenda një kohe të shkurtër, i riu ka arritur të mashtrojë mbi 35 biznese në qytete të ndryshme, përfshirë: Gjirokastrën, Tepelenën, Përmetin, Vlorën, Himarën, Orikumin, Fierin dhe Beratin.
Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se suksesi i këtij operacioni erdhi falë koordinimit të ngushtë me drejtuesit e IKMT-së dhe denoncimeve të qytetarëve. Shuma e parave e gjetur gjatë arrestimit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Aktualisht, hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë ose subjekte të tjerë të dëmtuar nga kjo veprimtari kriminale. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme procedurale.