Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, një person i pajetë u dërgua në urgjencën e spitalit të Sarandës nga disa individë me një makinë të bardhë, të cilët lanë trupin dhe u larguan pa dhënë shpjegime. Viktima është identifikuar si Pavllos Simeriontaqis, 48 vjeç, nga Athina.
Policia është njoftuar menjëherë dhe ka nisur veprimet hetimore, duke analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar automjetin me targa greke që transportoi të ndjerin në spital. Qëllimi i autoriteteve është të zbardhin rrethanat e ngjarjes dhe motivet pse 48-vjeçari ndodhej në Sarandë.
Sipas informacionit të policisë, në trup nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshohet se shkak i vdekjes mund të ketë qenë arrest kardiak. Duke qenë shtetas i huaj, trupi i tij do të transportohet me ambulancë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekspertizë.