Një rast i papranueshëm është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një kamarier që punon në një restorant në zonën e Rrugës së Kavajës, në Tiranë.
Sipas tij, një shtetas i huaj ka konsumuar ushqim dhe pije, por në fund është larguar pa kryer pagesën, duke përdorur një justifikim për të dalë jashtë dhe më pas është arratisur me vrap.
Dëshmia e plotë e kamarierit:
“Përshëndetje JOQ! Punoj në një zgarë në Rrugë të Kavajës dhe më ikën një i huaj pa paguar, me pretendimin se do ulet jashtë për pak. Dhe çohet, ikën me vrap. Të kenë kujdes bizneset e tjera. Mos t’ju bëjë të tillë mashtrim. Konsumoi ushqim në restorant, 4 freskuese dhe një akullore më pas, pastaj ikën pa paguar. Nëse do më ndihmonit ta publikonim do më bënit nder. Qëndrojmë 12 orë në këmbë kamarier, nuk e di çfarë ndërgjegjeje kanë këta njerëz, hanë, pinë dhe ikin… Aq më tepër dhe i huaj, jo shqiptar Pra siç ju shpjegova, kërkon të pijë një tjetër freskuese jashtë, porosit, ulet jashtë dhe gjen momentin, ikën me vrap”
Sipas denoncuesit, i gjithë momenti është kapur nga kamerat e sigurisë, ku shihet personi në fjalë teksa largohet me shpejtësi nga ambienti.
Rasti ngre shqetësim për bizneset e vogla, veçanërisht në sektorin e shërbimit, ku raste të tilla përkthehen drejtpërdrejt në humbje financiare për punonjësit dhe pronarët.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim për të sensibilizuar bizneset e tjera që të tregohen të kujdesshme ndaj rasteve të ngjashme.
Nëse institucionet do të reagojnë apo nëse personi do të identifikohet, mbetet për t’u parë.