Një tjetër rast shqetësues që vë në pikëpyetje sigurinë ushqimore në vend është denoncuar nga një qytetar në Vlorë, i cili i është drejtuar redaksisë për të ndarë përvojën e tij.
Ai ka blerë një pako makarona ravioli për konsum, është përballur me një situatë të papranueshme. Në momentin që ka hapur produktin për ta përgatitur për drekë, ai ka konstatuar se i gjithë përmbajtja ishte e mykur, duke e bërë të pamundur konsumimin dhe duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë dhe kontrollin e produkteve që tregtohen në markete.
Ky rast rikthen në vëmendje problemin e vazhdueshëm të mungesës së kontrollit dhe përgjegjësisë në zinxhirin e furnizimit ushqimor. Produkte që duhet të kalojnë filtra të rreptë sigurie përfundojnë në raftet e dyqaneve, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.
Nga ana tjetër, institucionet përgjegjëse për kontrollin ushqimor, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kritikohen për mungesë reagimi dhe masa konkrete në raste të tilla, duke lënë hapësirë për përsëritjen e situatave që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve.
Rasti në fjalë shërben si një tjetër kambanë alarmi për nevojën e kontrolleve më të rrepta dhe ndërhyrjeve të menjëhershme, në mënyrë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat e shqiptarëve.