Konsumatorët shqiptarë pritet të përballen me një tjetër goditje në portofol. Prodhuesit vendas njoftojnë se muaji maj do të sjellë shtrenjtim të produkteve larëse dhe detergjentëve, si pasojë e rritjes së kostove të prodhimit dhe transportit.
Megjithëse shumë pluhura larës prodhohen në Shqipëri, industria mbetet tejet e varur nga tregu ndërkombëtar. Faktorët kryesorë që po diktojnë këtë shtrenjtim janë: Shtrenjtimi i lëndës së parë: Furnitorët e huaj kanë rritur çmimet me 15-20% krahasuar me periudhën para luftës. Kriza energjetike: Rritja e çmimit të lëndëve djegëse ka rritur direkt kostot e prodhimit në fabrikat jashtë vendit. Transporti: Tarifat e transportit vijojnë të mbeten të larta, duke rënduar faturën finale të produktit. Importi i gatshëm: Edhe sapunët dhe preparatet që vijnë të gatshme nga jashtë do të pësojnë rritje, pasi furnitorët e huaj kanë reflektuar tashmë kostot e reja.
Efekti pritet të ndihet në treg në fillim të majit. Kjo vonesë lidhet me ciklin e furnizimit (30 deri në 45 ditë), periudhë gjatë së cilës do të mbërrijnë porositë e blera me çmimet e reja të larta.
Përveç çmimeve, prodhuesit vendas po përballen me një tjetër problem serioz: uljen e konsumit. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e grupit "Sapunë dhe preparate larëse" kanë rënë me 13% gjatë dymujorit të parë të vitit 2026.
Prodhuesit vlerësojnë se kjo rënie nuk vjen vetëm nga çmimet e larta, por edhe nga ndryshimet demografike. Emigracioni masiv po pakëson numrin e konsumatorëve në vend, duke detyruar fabrikat të ulin sasitë e lëndëve të para që importojnë për prodhim.