Çmimi i vajit të lulediellit po shënon rritje të ndjeshme në tregun shqiptar, duke reflektuar shtrenjtimin e lëndëve djegëse dhe tarifave të transportit. Importuesit vendas kanë njoftuar se gjatë muajit mars çmimi i shumicës për vajin ushqimor është rritur fillimisht nga 176–178 lekë për litër në 182–183 lekë për litër, ndërsa pritet një tjetër rritje prej 7 lekësh për litër, duke e çuar çmimin deri në 190 lekë për litër.
Shkak i shtrenjtimit sipas importuesve është rritja e çmimit të produktit nga fabrikat prodhuese në Hungari, si pasojë e kostove më të larta për karburant dhe lëndë djegëse që përdorin rafineritë. Gjithashtu, tarifa e transportit ka pësuar rritje të ndjeshme pas nisjes së luftës, duke shtrenjtuar edhe më tej çmimin e vajit të importuar.
Ekspertët theksojnë se mungesa e prodhimit vendas të vajit ushqimor e ka bërë ekonominë shqiptare më të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve. Prej 2016, rafineritë vendase janë kthyer kryesisht në ambalazhues të vajit të përpunuar të importit, duke eliminuar një amortizator të mundshëm për frenimin e inflacionit në këtë sektor.