Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, pas humbjes ndaj Polonisë u shpreh se, pavarësisht rezultatit, ndihet krenar për paraqitjen e ekipit dhe nuk sheh arsye për të vënë në diskutim zgjedhjet e tij.
Ai pranoi se brenda vetes ndjen zhgënjim, pasi si natyrë nuk e pranon humbjen, por theksoi se futbolli është i paparashikueshëm dhe skuadra zhvilloi një ndeshje dinjitoze. Sipas tij, fakti që ekipi arriti të luajë në mënyrë të barabartë ndaj një kundërshtari të fortë si Polonia është një arsye kënaqësie, pavarësisht rezultatit final.
“Unë jam shumë i trishtuar brenda, kam qenë kështu edhe si lojtar, nuk dua të humbas. Pastaj është lojë futbolli, mund të ndodhë gjithçka, kemi bërë ndeshjen tonë. Të mbërrish në një fushë të rëndësishme dhe të luash si i barabartë ndaj një ekipi të rëndësishëm si i tyre… Mua më ka dhënë kënaqësi në fushë, pastaj fitohet, humbet… nuk është problem. E rëndësishme është të vish këtu dhe të luash i si barabartë me këtë skuadër, krenar për djemtë. Futbolli është rezultat, jam i trishtuar brenda meje, por është jeta, është futbolli.“
Silvinjo vlerësoi përgatitjen dhe angazhimin e lojtarëve, duke theksuar se ekipi krijoi raste dhe arriti të shënojë, ndërsa momentet vendimtare shpesh varen nga detajet. Ai përmendi edhe cilësinë e kundërshtarëve, duke nënvizuar se lojtarë si Levandovski dhe Zielinski bëjnë diferencën në nivele të tilla.
“Ne kemi bërë ndeshjen tonë, unë nuk vë baste, nuk bëj, nuk duhet. Punohet bashkë tre ditë, bëhet video, ndiqen lojtarët dhe bëhen gati. Jam i lumtur me lojtarët në fushë, shënuam, kishim mundësinë të bënim gol. Pas ndërrimeve, ndoshta dy minuta më vonë kishim mundësi tjetër, ky është futbolli. Këta dy lojatrë që na shënuan, nëse kthehesh katër vite më parë, në ndeshjen e fundit të Polonisë ndaj Suedisë, ishte e njëjta, katër vite më parë. Shihe se kush kanë shënuar, kush janë, ku luajnë? Shënon Levandovski e Zielinski, janë të mëdhenj. Ne si skuadër, si komb, kemi luajtur si të barabartë me ta, çfarë mund të them? Krenar për të gjithë lojtarët, kanë djersitur. Kemi bërë një pjesë të dytë shumë të mirë, të dytën më pak, por kishim mundësinë të mbyllnim ndeshjen, është lojë, është futbolli.”
Trajneri shtoi se përballë një skuadre të fortë, që është mësuar të luajë në kompeticione madhore dhe përpara një stadiumi të mbushur, ekipi i tij tregoi karakter dhe zhvilloi një lojë të barabartë. Ai e cilësoi këtë rrugëtim si një proces që kërkon kohë, punë dhe durim, duke kujtuar se disa vite më parë pak kush do ta imagjinonte Kombëtaren në këtë nivel.
Sa i përket të ardhmes, Silvinjo u fokusua vetëm te ndeshja e radhës, duke thënë se aktualisht mendon vetëm për përgatitjen dhe sfidën e ardhshme në Valencia ndaj Ukrainës. Për çështjet e tjera, përfshirë të ardhmen e tij pas përfundimit të kontratës në korrik, ai tha se do të vendoset më vonë.
“E ardhmja? Unë vetëm mendoj ndeshjen e radhës, jam i trishtuar, e kam thënë, se jam kështu unë. Duhet të pres, flej, mendoj për ndeshjen tjetër. Duhet të shkojmë në Valencia, kemi ndeshje të rëndësishme dhe pastaj të shohim. Unë vetëm mendoj për ndeshjen. Pastaj pas korrikut të shohim. Unë mendoj të shkoj në Valencia e të luaj me Ukrainën të mbyll këtë moment. Pastaj të kthehem se kam kontratë deri në korrik e pastaj të shohim. Nuk kam asnjë mundësi të shoh për asnjë gjë tjetër. Do të shohim deri ditën e fundit e pastaj të shohim.“
Në fund, ai theksoi se zgjedhjet në formacion bëhen mbi bazën e asaj që stafi teknik konsideron më të mirën në dispozicion, duke pranuar kufizimet që ka ekipi krahasuar me kombëtare më të mëdha. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se lojtarët dhanë maksimumin dhe përsëriti se ndihet krenar për përkushtimin dhe paraqitjen e tyre.