Kosova ka regjistruar një fitore spektakolare në transfertë ndaj Sllovakisë, duke triumfuar me rezultat të ngushtë 4:3 në një ndeshje plot emocione.
Takimi nisi në disavantazh për “Dardanët”, pasi sllovakët gjetën golin që në minutën e 6-të përmes Valjent. Kosova reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 21-të me Hoxhën, por vendasit rikthyen epërsinë pak para pushimit, kur Haraslin realizoi për 2:1.
Në pjesën e dytë, Kosova u shfaq krejt ndryshe, duke marrë kontrollin e lojës dhe përmbysur gjithçka. Asllani, Muslija dhe Hajrizi shënuan tre gola rresht, duke i dhënë epërsi të merituar skuadrës kosovare. Edhe pse Strelec realizoi në minutat shtesë, kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Në fund, Kosova vulosi një fitore të madhe dhe historike.
Tani, “Dardanët” do të përballen me Turqinë në finalen e play-off-it, ku do të vendoset se cila skuadër do të sigurojë kualifikimin për në Botëror.