Atmosfera elektrizuese në stadiumin e mbushur plot në Varshavë ka marrë një kthesë të papritur për vendasit, pasi kombëtarja shqiptare ka arritur të zhbllokojë shifrat në një moment kyç të ndeshjes.
Pas 42 minutash lojë të tensionuar, Arbër Hoxha ka bërë që zemrat e tifozëve kuqezi të rrahin fort, duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Sulmuesi shfrytëzoi në mënyrë perfekte një gabim trashanik të mbrojtjes polake, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke detyruar portierin Grabara ta nxjerrë atë nga porta mes heshtjes së mijëra polakëve dhe festës së çmendur të mbi 3 mijë shqiptarëve në tribunë.
Trajneri Sylvinho duket se ka goditur në shenjë me zgjedhjet e tij taktike, duke lënë në stol emra si Anis Mehmeti dhe Ernest Muçi për t'i besuar shpejtësisë së Hoxhës dhe Uzunit në repartin ofensiv.
Kjo sfidë teke, e vlefshme për gjysmëfinalen e play-off-it të Kupës së Botës, po dëshmon një Shqipëri luftarake që nuk i trembet emrave si Lewandowski apo Zielinski.
Përveç rezultatit, kjo mbrëmje shënon edhe momente historike për veteranët e mbrojtjes: Elseid Hysaj po luan ndeshjen e tij të 97-të, duke thelluar rekordin si lojtari me më shumë paraqitje, ndërsa kapiteni Berat Gjimshiti feston ndeshjen e tij të 70-të me fanellën kuqezi.
Me rezultatin 0-1, pjesa e dytë pritet të jetë një betejë e vërtetë, ku gjithçka mbetet e hapur deri në fund, përfshirë mundësinë e shtesave apo penalltive për të përcaktuar fituesin e madh.