Nënat e reja në makth: Si po i bllokon E-Albania pagesat e lejeve të lindjes

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.03.2026, 21:17

Ndërsa alarmi për rënien e lindshmërisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shqetësues, institucionet shtetërore, në vend që të lehtësojnë proceset për prindërit e rinj, po i ndëshkojnë ata me burokraci dhe dështime teknike.

Prej ditësh, sistemi online i E-Albania është kthyer në një pengesë serioze për bizneset, të cilat e kanë të pamundur të aplikojnë për raportet e lejeve të lindjes për punonjëset e tyre. Ky bllokim i papritur po shkakton vonesa zinxhir në pagesat që u takojnë nënave në pritje të ëmbël apo atyre që sapo janë bërë prindër, duke i lënë pa mbështetjen financiare në një moment kaq delikat.

Situata nuk kufizohet vetëm te lejet e barrëlindjes, pasi problemet me sistemin po pengojnë edhe përfitimet e tjera afatshkurtra apo raportet mjekësore për personat që mungojnë në punë për arsye shëndetësore, duke goditur direkt skemën e sigurimeve shoqërore.

Ky kaos teknologjik nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sage dështimesh që po i kthejnë shërbimet digjitale në një makth të vërtetë për sipërmarrjen.

Kujtojmë se vetëm vitin e kaluar dorëzimi i bilanceve në QKB ishte i pamundur për ditë të tëra, ndërsa fillimi i këtij viti u shoqërua me bllokime të sistemit të fiskalizimit dhe pamundësi për të lëshuar fatura nga të vetëpunësuarit.

Goditja e radhës vjen nga mosunifikimi i sistemeve tatimore, ku bizneset që kanë teprica kreditore nga Tatim Fitimi i vitit 2024 nuk po arrijnë t'i përdorin ato për të kompensuar detyrimet e vitit 2025.

Për shkak të ndryshimeve ligjore, këto teprica kanë mbetur "peng" në llogaritë e vjetra dhe nuk janë transferuar në sistemin e ri e-filing, duke i detyruar bizneset të përballen me pagesa të panevojshme dhe një barrë administrative që sa vjen e rëndohet, ndërkohë që njoftimet për detyrime të reja nga organet tatimore vijojnë të mbërrijnë rregullisht edhe për ata që janë me status pasiv.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit