Një ngjarje e rëndë rrugore ka tronditur mbrëmjen e sotme lëvizjen në aksin e Rrugës së Arbrit, pikërisht në segmentin e njohur si Shkalla e Tujanit.
Një automjet, i cili po udhëtonte në drejtim të Tiranës, ka humbur kontrollin në rrethana ende të paqarta duke dalë plotësisht nga rruga e për pasojë ka përfunduar në një kanal anësor. Goditja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar panik te drejtuesit e tjerë të mjeteve që ndodheshin në atë moment në këtë aks rrugor, të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet.
Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga, ka mbetur i plagosur drejtuesi i automjetit, i cili ka marrë lëndime serioze. Ai është nxjerrë nga mjeti dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërkohë që gjendja e tij shëndetësore mbetet nën monitorimin e bluzave të bardha.
Për momentin, nuk ka informacion zyrtar nëse në makinë ndodheshin pasagjerë të tjerë apo nëse ka persona të tjerë të lënduar nga ky incident.