Paratë që emigrantët dërgojnë tek familjet e tyre në Shqipëri po vijojnë të rriten, në një kohë kur numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit po shtohet për shkak të emigracionit të vazhdueshëm. Sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, remitancat kanë arritur një rekord prej 1.1 miliardë euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 5.9% krahasuar me një vit më parë.
Rritja është përshpejtuar sidomos në tremujorët e tretë dhe të katërt të vitit, periudha që përkojnë me sezonin e pushimeve dhe festat e fundvitit, kur emigrantët kthehen dhe sjellin më shumë para në vend. Vetëm gjatë korrik–shtator 2025 janë dërguar rreth 285 milionë euro, ndërsa në fund të vitit rreth 302 milionë euro, duke reflektuar një trend të qëndrueshëm në rritje që prej vitit 2013.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se migracioni neto në Shqipëri mbetet negativ dhe është përshpejtuar pas pandemisë, ndërsa gjithnjë e më shumë shqiptarë po marrin leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian. Remitancat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke u kanalizuar si përmes sistemeve bankare ashtu edhe përmes transfertave informale drejt familjeve në Shqipëri.