Në Kuman të Roskovecit, familja Rrapaj ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë së rëndë që ndodhi mesditën e së martës, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me armë bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe, dhe më pas kreu vetëvrasje. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, duke sjellë dhimbje të madhe për familjarët dhe banorët e zonës.
Sipas burimeve, varrimi i dy viktimave do të bëhet i ndarë. Dashuri Rrapaj do të përcillet për në banesën e fundit në Allambreas në orën 13:00, ndërsa trupi i Shefit Rrapajt mbetet ende në morgun e Fierit, pasi familjarët nuk e kanë tërhequr. Ndërkohë, të nëntë fëmijët e çiftit ndodhen pranë banesës ku ndodhi krimi, në një gjendje të rënduar emocionale.
Komshija e familjes, Natasha Vrapi, ka treguar se të moshuarit jetonin në harmoni dhe kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Ajo kujtoi se herën e fundit që kishte takuar 75-vjeçaren, ajo i kishte thënë se nuk do të qëndronte gjatë, pasi duhej të kujdesej për bashkëshortin e sëmurë.