Trupi i 80-vjeçarit, i cili një ditë më parë qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij me armë gjahu dhe më pas i dha fund jetës, vijon të jetë në morg.
Ceremonitë mortore për dy viktimat do të zhvillohen veçmas. Dashuri Rrapaj do të përcillet sot në banesën e fundit në Allambreas të Beratit, vendlindja e saj, në orën 13:00. Ndërkohë, trupi i Shefit Rrapajt ndodhet ende në morgun e Fierit dhe nuk është tërhequr nga të afërmit.
Të nëntë fëmijët e çiftit janë mbledhur në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e rëndë dhe, mes dhimbjes së madhe, do t’u japin lamtumirën e fundit prindërve të tyre.
Familja Rrapaj në fshatin Kuman të Roskovecit ka hapur dyert e zisë pas tragjedisë së ndodhur mesditën e djeshme, kur 80-vjeçari Shefit Rrapaj qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj, dhe më pas kreu vetëvrasje.