Një video e publikuar dje në JOQ Albania ka dëshmuar me fakte një tjetër rast flagrant korrupsioni në radhët e Policisë Rrugore dhe ka sjellë reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Në video shihet një efektiv i Policisë Rrugore që ndalon një automjet për kontroll rutinë. Por, në vend të procedurave standarde, situata merr një drejtim tjetër.
Pamjet tregojnë momentin kur drejtuesi i mjetit i jep një tufë me para efektivit, me një veprim të shpejtë, ndërsa ky i fundit i pranon dhe i fut menjëherë në xhep. Më pas, shoferi lejohet të largohet pa asnjë veprim të mëtejshëm, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Ky veprim ngre shqetësime serioze për integritetin e uniformave blu dhe për mënyrën se si mund të cenohet siguria rrugore përmes praktikave të paligjshme.
Pas publikimit të videos, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar zyrtarisht, duke bërë të ditur se është marrë menjëherë masa e pezullimit nga detyra për efektivin e përfshirë.
Bëhet fjalë për inspektorin me inicialet K. P., me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban. Ndaj tij ka nisur procedim disiplinor për shkelje të rëndë.
Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka filluar hetimin penal për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka falënderuar JOQ për denoncimin dhe qytetarët për bashkëpunimin mbi rastet e abuzimit, duke i inkurajuar ata të vijojnë të raportojnë çdo paligjshmëri.