Kishin bluza me “Shqipërinë Etnike”, policia serbe arreston 4 shqiptarë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.03.2026, 22:41

Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar sot nga Policia serbe pasi kishin shpalosur bluza me motive kombëtare, në territorin e Serbisë.

Autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale (UKP), kanë arrestuar në territorin e Republikës së Serbisë katër shtetas shqiptarë: A. S. (1989), E. V. (1984), E. G. (1978) dhe A. C. (2005).

Sipas njoftimit zyrtar, ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “nxitje e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Dyshohet se A. S., në ditën e shënimit të fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, ka publikuar në rrjetin social Facebook një video ku shfaqet në një automjet tip “Audi”, së bashku me personat e tjerë të dyshuar, duke udhëtuar në autostradë nëpër Serbi. Në video, sipas autoriteteve, ata kanë shfaqur në mënyrë të papërshtatshme simbole të “Shqipërisë së Madhe” dhe kanë përmendur Republikën e Serbisë në kontekst negativ, duke përdorur fjalor të papërshtatshëm.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës pritet të dërgohen, së bashku me kallëzimin penal, në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, në Departamentin e Posaçëm për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit