Një video skandaloze ka mbërritur në redaksinë tonë, duke nxjerrë zbuluar një tjetër rast të korrupsionit flagrant në radhët e Policisë Rrugore. Ngjarja, e cila raportohet të ketë ndodhur rreth një javë më parë në rrugën "Kosova" në qytetin e Vlorës, tregon qartë se si ligji "shitet" për disa prerje kartëmonedhash në mes të ditës.
Pamjet e dërguara nga një dëshmitar tregojnë momentin kur efektivi i rrugores ndalon një mjet për kontroll rutinë. Por, në vend të bllokut të gjobave apo verifikimit të dokumentacionit, skena merr një rrjedhë tjetër. Në video dallohet qartë shoferi i mjetit i cili, me një lëvizje të shpejtë dhe të stërvitur, i kalon policit një shumë parash.
Ajo që të lë shije të hidhur është lehtësia me të cilën efektivi i pranon paratë, duke i futur me shpejtësi në xhep dhe duke e lejuar shoferin të vijojë rrugën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ky veprim jo vetëm që cenon figurën e Policisë së Shtetit, por tregon se siguria rrugore në rrugët e Vlorës ka një çmim që mund të paguhet "cash" në dorën e uniformës.
Denoncuesi shprehet i revoltuar se skena të tilla janë bërë të rëndomta, ku shoferët që shkelin rregullat e gjejnë gjithmonë zgjidhjen përmes korrupsionit, ndërsa qytetarët e rregullt përballen me vështirësi.