Këngëtarja britanike Jessie J është dërguar urgjentisht në spital gjatë qëndrimit të saj në Kinë për turneun “No Secrets”. Artistja 37-vjeçare bëri të ditur se aksidenti ndodhi brenda makinës, ku goditi fort kokën, duke shkaktuar shqetësime për dëmtime të mundshme në qafë ose shtyllën kurrizore.
Për shkak të dhimbjeve dhe rrezikut të mundshëm, Jessie J iu nënshtrua menjëherë një ekzaminimi të detajuar me rezonancë magnetike (MRI) për të përjashtuar dëmtime serioze. Megjithatë, ajo ruajti një qëndrim pozitiv dhe komunikoi me fansat përmes një videoje në rrjetet sociale, duke treguar se do të përdorte qetësues për të menaxhuar dhimbjet dhe shprehu dëshirën për t’u rikthyer sa më shpejt në skenë.
Fansat u alarmuan nga lajmi, por aktualisht gjendja e këngëtares është nën kontroll dhe pa pasoja serioze.