Dy shqiptarë rrëmbejnë dhe dhunojnë pronarin pas debatit për pagesën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.03.2026, 14:39

Dy punëtorë ndërtimi me origjinë shqiptare kanë rrëmbyer dhe ushtruar dhunë ndaj pronarit të kompanisë me të cilin bashkëpunonin në Trento të Italisë, pasi besonin se nuk do të merrnin pagesën për punën e kryer.

Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një emaili që pronari i banesës i kishte dërguar sipërmarrësit, duke vënë në pikëpyetje cilësinë e punimeve të realizuara nga dy punëtorët. Kjo situatë rrezikonte që ata të mbeteshin pa u paguar. Për këtë arsye, sipërmarrësi 60-vjeçar u përpoq të ndërmjetësonte me klientin, me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe sigurimin e pagesës për t’ua kaluar më pas punëtorëve.

Megjithatë, dy punëtorët, rreth të 30-ave dhe që punonin në mënyrë të pavarur, reaguan me zemërim, duke u bindur se nuk do të merrnin paratë. Ata vendosën të vepronin vetë dhe e kontaktuan sipërmarrësin për ta takuar në parkingun “ex Zuffo” në mes të ditës.

Sapo ai mbërriti, ata e ndaluan me forcë, e tërhoqën kundër dëshirës së tij dhe e futën në furgonin e tyre të bardhë. Brenda automjetit, situata u tensionua më tej: ata e kërcënuan vazhdimisht që të transferonte shumën e kërkuar në llogaritë e tyre bankare dhe e goditën disa herë me grushte në kokë.

Sipërmarrësi u mbajt peng për rreth një orë. Gjatë kësaj kohe, autorët e dyshuar e dërguan edhe në kantierin ku ishin kryer punimet, në përpjekje për të zgjidhur drejtpërdrejt konfliktin me pronarin e shtëpisë, por pa arritur ndonjë marrëveshje.

Më pas, ata e kthyen sërish në parking dhe, si formë presioni, i morën çelësat e furgonit që ai përdorte për punë, pa miratimin e tij.

Pas lirimit, sipërmarrësi vijoi të përballej me telefonata dhe mesazhe kërcënuese, ku i kërkohej pagesa e shumës së pretenduar, në të kundërt paralajmërohej për pasoja. I shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes, ai u detyrua të ndryshonte rutinën e përditshme dhe të zhvendosej përkohësisht nga banesa.

I tronditur nga ngjarja, ai u shpreh se kishte ndjerë frikë të madhe për veten dhe familjen, duke shtuar se nuk ndiheshin më të sigurt në shtëpi.

Pas denoncimit, autoritetet policore nisën hetimet dhe analizuan pamjet e kamerave të sigurisë në parking, të cilat dokumentuan momentin e futjes me forcë në furgon. Dy të dyshuarit, të dy me precedentë penalë, u identifikuan dhe u arrestuan nga karabinierët për rrëmbim personi dhe dhunë, duke u dërguar në paraburgim në pritje të paraqitjes në gjykatë për masën e sigurisë.

Ndërkohë, mbrojtja e tyre pritet të sqarojë rrethanat gjatë procesit gjyqësor, ndërsa autoritetet po mbledhin prova dhe dëshmi për të rindërtuar në detaje dinamikën e plotë të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit