Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Podujevë, ku humbën jetën tre persona. Një familjar i autores së dyshuar, Ardita Gashi, ka folur në mënyrë anonime për mediat, duke dhënë versionin e tyre mbi ngjarjen.
Në një prononcim për mediat vendase, ai ka hedhur poshtë disa nga informacionet e publikuara, duke theksuar se familja nuk ka pasur konflikte me askënd. Gjithashtu, sipas tij, ata nuk kanë qenë në dijeni të një marrëdhënieje që 31-vjeçarja dyshohet të ketë pasur me Ilaz Brahimin, 45 vjeç nga Obiliqi.
Sipas dëshmisë së familjarit, ngjarja ka ndodhur në mënyrë të papritur. Ai ka treguar se pas incidentit të parë, Ardita u është afruar pjesëtarëve të tjerë të familjes. Më tej, ai ka sqaruar se arma e përdorur ishte një pistoletë, duke kundërshtuar pretendimet se është përdorur armë automatike.
“Pasi qëlloi djalin, ajo shkoi tek nusja e xhaxhait. Ajo ndodhej me nusen e djalit dhe tre fëmijët. Ardita u kërkoi të dilnin jashtë, duke thënë se kishte diçka për të biseduar. Sapo dolën, u dëgjuan të shtëna. Ne u larguam menjëherë, ndërsa ajo u mbyll në dhomën e fëmijëve. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo drejtoi armën ndaj vetes dhe i tha ‘largohu, se do të të vras edhe ty”, ka rrëfyer familjari.
Ndërkohë, motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të paqarta. Dyshohet paraprakisht se autorja mund të ketë pasur një lidhje me 45-vjeçarin që humbi jetën. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri, gëzhoja dhe prova të tjera materiale, ndërsa prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.