Teknologjia ul numrin e të punësuarve në zyra, turizmi dhe ndërtimi me rritje

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.03.2026, 08:30

Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë një rënie të ndjeshme të punësimit në sektorët e administrimit të zyrave dhe industrisë gjatë tremujorit të fundit të vitit 2025, ndërkohë që turizmi dhe ndërtimi po shfaqen si motorë të rinj të rritjes. Aktivitetet mbështetëse të biznesit, si administrimi i zyrave dhe shërbimet administrative, shënuan tkurrjen më të fortë me një rënie vjetore prej -7.3%, duke reflektuar një dobësim të kërkesës nga ndërmarrjet.

Sipas burimeve nga tregu, kjo rënie lidhet ngushtë me përhapjen e automatizimit dhe inteligjencës artificiale, që po zëvendësojnë detyra rutinë si faturimi dhe menaxhimi i të dhënave. Tendenca negative është shtrirë edhe në sektorë të tjerë si transporti dhe magazinimi (-3.3%), si dhe industria përpunuese dhe nxjerrëse (-2%), të cilat po përballen me rënie të porosive nga jashtë, rritje të kostove dhe ndikime nga kursi i këmbimit.

Në kontrast, sektorët e turizmit dhe tregtisë po njohin rritje të fortë të punësimit. Hotelet kryesojnë me një rritje prej 10.8%, të ndjekura nga tregtia me shumicë me 10.1%, ndërsa ndërtimi dhe agjencitë e udhëtimit u zgjeruan me nga 6.3%. Ky zhvillim tregon një zhvendosje të tregut të punës drejt sektorëve të shërbimeve dhe mikpritjes, duke sinjalizuar një riorientim të ekonomisë shqiptare në fund të vitit 2025.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit