Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një shtetase amerikane, e cila pretendon se është kërcënuar nga një bashkëkombës i saj gjatë qëndrimit në Vlorë.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka ka nisur pas një dreke në zonën e Lungomares, ku ajo ishte së bashku me personin në fjalë dhe nënën e tij. Ajo tregon se burri, shtetas amerikan nga Florida, erdhi në Vlorë për dy ditë për të kërkuar apartament dhe pritet të zhvendoset aty brenda 10 ditësh nga Saranda.
Pas takimit, situata ka ndryshuar tërësisht, pasi sipas saj, ai ka nisur ta kërcënojë hapur, duke pretenduar se e di se ku jeton dhe se mund t’i shkojë në banesë në çdo moment.
“Ai më kërcënoi jetën. Tha se policia shqiptare nuk do të bënte asgjë dhe se mund të bëjë çfarë të dojë me mua,” shprehet ajo në videon e dërguar.
Gruaja, e cila është nënë e vetme e dy fëmijëve të mitur, thotë se ndihet e pasigurt, ndërsa shton se personi në fjalë i ka kërkuar të largohet nga Shqipëria ose të ndryshojë identitet për të qenë e sigurt. Sipas saj, ai ka gjetur profilet e saj në rrjetet sociale dhe ka vijuar me mesazhe kërcënuese. Edhe pse ajo e ka bllokuar, ai i ka thënë se mund ta kontaktojë sërish përmes numrave të tjerë.
Në mesazhin drejtuar redaksisë, ajo bën me dije se do ta raportojë rastin me urgjencë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Ajo shton se pas qëndrimit në Sarandë, personi pritet të zhvendoset së shpejti në Vlorë, gjë që rrit frikën për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
JOQ Albania publikon këtë denoncim për të sensibilizuar autoritetet, duke theksuar se bëhet fjalë për pretendime të qytetares, të cilat mbeten për t’u verifikuar nga institucionet përkatëse.







