Një 42-vjeçar në Kavajë është arrestuar pasi dyshohet se ka plagosur me armë zjarri një 39-vjeçar. Sipas informacioneve, konflikti dyshohet të ketë nisur pasi Bari Doda kishte ngacmuar partneren e Pleurat Mustafës, i cili më pas është kundërpërgjigjur duke e qëlluar në këmbë me pistoletë.
I dëmtuari ndodhet në spital dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, me ndihmën e 35-vjeçarit Agim Çelhyka, Mustafa është larguar nga vendi i krimit dhe është fshehur në lagjen 17 në Durrës, ku është kapur nga policia pas rreth tre orësh.
Gjatë veprimeve hetimore, uniformat blu kanë sekuestruar edhe armën e përdorur, të cilën 42-vjeçari e kishte hedhur në një zonë me shkurre gjatë largimit.
Materialet e çështjes do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës për vijimin e procedurave ligjore.