Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një i ri shqiptar, i cili po përballet çdo ditë me sklerozën multiple, një sëmundje e rëndë neurologjike që i ka ndryshuar jetën.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, ai tregon forcën dhe vullnetin për të mos u dorëzuar, pavarësisht sfidave të mëdha që i ka vendosur përpara kjo sëmundje.
“Jetoj çdo ditë me sklerozën multiple, por nuk kam ndalur së luftuari. Vazhdoj të punoj dhe të jetoj me dinjitet, edhe pse është shumë e vështirë,” shprehet ai.
I riu thekson se, edhe pse ka një punë modeste për të përballuar nevojat e përditshme, kostot e trajtimit dhe kujdesit shëndetësor janë shumë të larta dhe të papërballueshme për të dhe familjen e tij.
Pas këtij apeli qëndron historia e Albi Shyti, i cili prej rreth 5 vitesh është diagnostikuar me këtë sëmundje. Sipas familjarëve, gjendja e tij është përkeqësuar muajt e fundit, duke ndikuar ndjeshëm në lëvizje dhe në pavarësinë e tij.
Shpresa e vetme për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes është një trajtim me qeliza staminale, i rekomanduar nga specialistët, që pritet të kryhet në Turqi. Ky trajtim nuk është shërues, por mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Por kostoja është shumë e lartë: rreth 33,500 euro, një shumë e papërballueshme për familjen.
Për këtë arsye, kushërira e tij, Anjeza Murati, ka hapur një fushatë në GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme, duke garantuar transparencë të plotë për çdo kontribut.
Familja bën thirrje për ndihmë, duke theksuar se çdo kontribut, sado i vogël, është një hap më afër shpresës për të vazhduar këtë betejë.
Nëse nuk keni mundësi të ndihmoni financiarisht, edhe një shpërndarje e këtij apeli mund të bëjë diferencën.
Le të bëhemi bashkë për t’i dhënë një shans më shumë jetës së tij.