Një dëshmi ekskluzive ka mbërritur pranë redaksisë së JOQ Albania, ku i shumëkërkuari Ylli Zalla ka thyer heshtjen nga arratia. Përmes një video-mesazhi dhe një dëshmie të hollësishme me shkrim, ai mohon në mënyrë kategorike përfshirjen në atentatin e ndodhur në Rinas më 11 nëntor 2025.
Zalla deklaron se akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe se po implikohet padrejtësisht në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të muajve të fundit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, i cili ndërroi jetë në spital disa ditë pas atentatit.
Sipas tij, ai nuk ka pasur asnjë lidhje me atentatin dhe pretendon se mënyra si është trajtuar nga policia po e vendos në rrezik serioz për jetën.
“Jam i pafajshëm dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Policia po më implikon dhe kjo situatë po më fut në gjakmarrje”, shprehet ai në video.
Ai hedh akuza të forta ndaj autoriteteve, duke pretenduar se hetimi nuk është zhvilluar siç duhet që në fillim dhe se nuk janë administruar pamjet filmike në kohë. Madje, Zalla ngre dyshime edhe për mënyrën si është menaxhuar e gjithë ngjarja, duke pretenduar se autorët janë larguar pa u identifikuar.
Sa i përket arsenalit të armëve dhe municioneve të zbuluara në banesën e tij në Nikël, ai deklaron se ato janë të mbetura prej vitesh, që nga trazirat e vitit 1997, dhe se për to ka shlyer dënimin.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit dyshon se Zalla ka pasur rol ndihmës ndaj autorëve të atentatit, ndërsa gjatë kontrolleve në banesën e tij janë sekuestruar armë zjarri, granata, lëndë plasëse dhe mijëra fishekë. Ai rezulton i shpallur në kërkim dhe me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, prodhim lëndësh plasëse dhe vepra të tjera.
Operacionet për kapjen e tij kanë vijuar edhe në ditët e fundit në zonën e Fushë-Krujës, por ai ka arritur t’i shmanget policisë.
Pavarësisht kësaj, Zalla këmbëngul se nuk do të dorëzohet pa provuar pafajësinë e tij dhe i bën thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen dhe të gjejnë autorët e vërtetë.
Pas kësaj ngjarjeje, sipas tij, policia ka kryer kontrolle në banesën e tij ku janë gjetur municione, të cilat ai pretendon se janë të vjetra, të mbetura nga vitet ’97.
Ai deklaron se në momentin e kontrollit nuk ndodhej në banesë dhe se një ditë më pas është shpallur në kërkim, ndërsa mediat, sipas tij, e kanë paraqitur si autor kryesor.
Zalla hedh akuza se policia po tenton t’i faturojë atij përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa shton se operacionet e përsëritura dhe “zbulimet” e njëpasnjëshme të municioneve janë, sipas tij, të pabazuara.
Ai shprehet se situata e krijuar e ka futur në një rrezik real për jetën dhe ka krijuar hasmëri të mundshme, ndërsa kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të vërtetë.
Në fund, ai paralajmëron edhe ndjekje ligjore ndaj mediave që, sipas tij, kanë publikuar informacione të pavërteta, duke i shkaktuar dëm atij dhe familjes së tij.
Dëshmia e tij e plotë e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:
Unë jam Ylli Zalla dhe aktualisht ndodhem në një situatë të padëshirueshme për shkak të rrezikut serioz që po më kanoset.
Arsyeja kryesore e kësaj videoje është të sqaroj akuzat e pavërteta që më janë vënë mbi supe. Një ndër akuzat është ajo për një atentat mafioz më 11 nëntor 2025 në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Atentati u krye sapo viktimat u kthyen nga një udhëtim në Spanjë. Një grup prej të paktën tre personash u zunë pritë dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi drejt makinës së tyre në rrugën e Rinasit. Për disa çaste nuk ka pasur asnjë lëvizje makinash në këtë rrugë dhe të gjitha kamerat e zonës kanë qenë të fikura, gjë që do të thotë se në këtë atentat ka pasur gisht vetë shteti shqiptar.
Autorët janë larguar drejt qytetit të Fushë-Krujës, ku kanë djegur edhe makinën e përdorur gjatë atentatit në fshatin Tapizë, e më pas janë ndihmuar të largohen pa lënë gjurmë. Pas kësaj ngjarjeje, policia ka ngritur disa postblloqe dhe ka filluar operacionin e koduar "Tracking". Gjatë këtij operacioni, policia ka shkuar në banesën time në Fushë-Krujë dhe ka kryer kontroll të imtësishëm. Në afërsi të banesës sime janë gjetur sasi të konsiderueshme municionesh. Ajo ka qenë një zonë luftarake dhe municionet kanë qenë aty që nga trazirat e vitit '97.
Në momentin e kontrollit të banesës unë nuk kam qenë në shtëpi; kam qenë në një vend duke u kujdesur për dorën time, të cilën e kam thyer për shkak të një rrëzimi të papritur. Të nesërmen u shpalla në kërkim ndërkombëtar dhe të gjitha mediat nxorën lajmin sikur unë, Ylli Zalla, isha një ndër autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje, duke pretenduar se kam ndihmuar autorët me municione, strehim dhe se makina ka dalë nga shtëpia ime.
Të gjitha këto janë absolutisht të pavërteta. Policia, shefi i zonës Burim Ndrragusha, shefi i krimeve Krenari dhe i gjithë shteti shqiptar duhet të vihen në ndjekje të vrasësve të vërtetë dhe nuk duhet të më implikojnë me akuza të tilla. Shefi i zonës, Burim Ndrragusha, duhet të marrë kamerat e gjithë vendit në afërsi të banesës sime dhe të tregojë pafajësinë time, që nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Por ata po bëjnë të kundërtën: po zhvillojnë disa operacione të kota në zonën e Zallës dhe po më ngarkojnë akuza të tjera.
Më 20 shkurt, policia ka zhvilluar një operacion tjetër dhe në afërsi të banesës kanë gjetur sërish municione luftarake, por ato shihet lehtësisht që ishin të gjitha të ndryshkura, pra kanë qenë aty prej shumë vitesh. Policia ka bërë video të shtëpisë sime dhe municionet i ka nxjerrë sërish në portale duke thënë se janë të miat; asnjë nga këto gjëra nuk është e vërtetë. Policia dëshiron të bëjë filma e "show" me mua dhe me emrin tim. Ata duan të m’i faturojnë mua të gjitha akuzat, por nuk do t’ia dalin sepse e vërteta del gjithmonë në pah.
Më datë 17 mars 2026, policia ka kryer një tjetër operacion dhe kanë thënë se unë u jam larguar dhe se kanë gjetur sërish municione në shtëpi. Si mund të jetë e mundur që këto municione nuk i gjetën që herën e parë? Kjo tregon paaftësinë e policisë; duan të më shtojnë akuzat. Kam informacione se policia po merr lekë nga vrasësit për të më njollosur emrin. Tashmë policia më ka përfshirë në një situatë shumë të tensionuar dhe të rrezikshme. Me lajmet që ka nxjerrë, policia po më fut në hasmëri me njerëzit. Unë, Ylli Zalla, shpreh keqardhje për familjarët e të ndjerëve dhe ju bëj me dije se pafajësia ime do të vërtetohet.
Unë dua që ngjarja të zbardhet dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar, por jo të merrni emrin tim dhe ta implikoni me të pavërteta. Nëse unë do të isha fajtor, do të dorëzohesha dhe do të pranoja dënimin maksimal. Por, përderisa nuk kam gisht as në vrasje dhe as me armët, nuk do të dorëzohem pa dalë e vërteta dhe pa u provuar pafajësia ime.
Deklaroj se sapo të mbarojë kjo situatë, unë do të denoncoj të gjitha mediat që kanë hedhur baltë mbi emrin tim, bazuar në nenin 120 të Kodit Penal për shpifje, pasi keni shkaktuar shumë stres në familjen time.
I kërkoj policisë ta zgjidhë këtë situatë. Ju lutem, zbardhni ngjarjen, duke më dhënë kështu mundësinë edhe mua për të jetuar në siguri dhe dinjitet në territorin shqiptar.
Me respekt, Ylli Zalla