Tjetërsimi i një sipërfaqeje toke prej 2350 m² në Tiranë, ku ishte ndërtuar një kapanon i kompanisë së mobilierisë “Saimiri F”, ka çuar në nxjerrjen e 6 masave të sigurimit nga gjykata. Në qendër të hetimeve është kompania Garffs Construction, e cila rezulton në letra në pronësi të Donada Xhalia, por që sipas burimeve dyshohet se kontrollohet nga Daniel Shima. Ky i fundit përmendet si person me precedent penal dhe i përfshirë në skema fajdesh në zonën e Tiranës dhe Kamzës. Prokuroria ka nisur hetime për pastrim parash dhe vijon veprimet procedurale.
Në fillim të marsit 2026, gjyqtarja Lorena Çabej vendosi masat e sigurisë: “arrest në burg” për Devis Bakalli dhe “arrest shtëpie” për Imer Çelaj, të dy të dyshuar për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, tre zyrtarë të Hipotekës Tirana Nr.2 Blenar Sakaj, Thanas Leku dhe Florjan Zela — janë pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre. Po ashtu, është vendosur sekuestro preventive mbi kompaninë ndërtuese që kishte blerë tokën përmes një transaksioni të dyshimtë financiar.
Hetimi nisi pas kallëzimit të biznesmenit Alfred Hasani, i cili deklaroi se prona ishte marrë në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve dhe më pas ishte shitur me shpejtësi për të humbur gjurmët. Sipas dosjes, pas marrjes së certifikatës së pronësisë dhe legalizimit, të dyshuarit kryen shitjen në prill 2024 tek “Garffs Construction”. Hasani ka dëshmuar se persona të tjerë janë paraqitur në shtator 2024 duke pretenduar pronësinë dhe duke kërkuar lirimin e objektit, ndërkohë që ai ka kundërshtuar duke deklaruar se kapanoni ishte ndërtuar dhe përdorej prej tij prej kohësh.