Pastrueset në Tiranë më të shtrenjta se në Greqi: Mungesa e punonjëseve sfidon tregun

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.03.2026, 12:13

Në Tiranë, punësimi i pastrueseve me orë vijon të jetë i shtrenjtë, duke arritur tarifa të ngjashme me ato të Italisë dhe më të larta se në Greqi. Një pastruese që punon me orë, pa kontratë të qëndrueshme, paguhet nga 800 deri në 1,000 lekë për orë, çka e vendos pagën e tyre në nivele europiane.

Sipas të dhënave të “Economic Research Institute”, në Europë pagesat për pastruese janë: 10 euro/orë në Itali dhe Spanjë, 15 euro/orë në Gjermani dhe Holandë, 11 euro/orë në Francë dhe 7–8 euro/orë në Greqi. Në SHBA, niveli është më i lartë, me 18 USD/orë në Nju Jork dhe deri në 19 USD/orë në Boston.

Në Tiranë, për punë 6–8 orë në ditë, pagesat mujore variojnë nga 70,000 deri në 120,000 lekë, kryesisht për apartamente të mëdha. Megjithatë, tregu përballet me mungesë të theksuar të punonjëseve, ndërsa kërkesa për shërbime pastrimi ka pësuar luhatje.

Agjencitë e ndërmjetësimit thonë se pozicionet për sanitare apo amvise, megjithëse kërkesa është më e madhe se për dado apo kujdestarë të moshuarish, shpesh nuk realizohen për shkak të tarifave të larta. Drejtuesit e agjencive te ndërmjetësimit shpjegojnë se familjet preferojnë kompanitë e pastrimit, të cilat ofrojnë shërbim më efikas dhe më të leverdishëm financiarisht, duke dërguar 2–3 pastruese në varësi të madhësisë së shtëpisë.

Edhe kompanitë e pastrimit konfirmojnë situatën. Ata thonë se kërkesa për sanitare në shtëpi është e madhe, por oferta mbetet e ulët, kryesisht për shkak të emigracionit për bashkime familjare. Ndërkohë të tjerë thonë se kërkesa për pastrime ka rënë për shkak të shtimit të kompanive që operojnë në mënyrë informale, duke ulur numrin e familjeve që zgjedhin shërbime të rregullta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit